Përkrahni të dërguarit, mos i beni ata idhuj!
Mbase urdhri më i qartë kuranor në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet të dërguarit të Zotit dhe pasuesve të tij gjendet në vargjet e shumta që përmbajnë urdhrin e Zotit për të gjithë besimtarët që t'i binden Zotit dhe t'i binden të dërguarit (p.sh. 5:92). Duke analizuar këtë urdhër kuranor, ne zbulojmë se ai është bërë një nga urdhrat më të manipuluar në Kuran.
Sipas pretendimeve të dijetarëve tradicionalë, ata e interpretojnë këtë urdhër kuranor në kuptimin që një musliman duhet t'i bindet çdo fjale të thënë nga i dërguari. Si rezultat, ata kanë vendosur hadithin dhe sunetin si një burim të ri juridiksioni përveç Kuranit.
Megjithatë, përmes një studimi kuranor të ajeteve që na urdhërojnë t'i bindemi të dërguarit, bëhet e qartë se theksi vihet në bindjen ndaj 'mesazhit' dhe jo fjalëve personale të të dërguarit. Nuk ka asnjë varg në Kuran që thotë bindju Zotit dhe bindju Jezusit, Moisiut apo Muhamedit, fjalët e përdorura në të gjitha vargjet e tilla janë gjithmonë, "bindjuni të dërguarit". Kjo konfirmon se theksi vihet te mesazhi dhe jo te personi i të dërguarit.
Për detaje, ju lutemi shihni: Bindjuni Zotit dhe bindjuni të dërguarit
Ne lexojmë në Kuran konfirmimin e qartë se ne nuk duhet t'i bejme idhuj të dërguarit e Zotit dhe as t'i duam ata siç duhet ta duam Zotin:
Në mesin e njerëzve ka nga ata që i marrin të barabartë të tjerët përveç Zotit, duke i dashur ata si dashurinë ndaj Zotit. Megjithatë, ata që besojnë kanë dashuri shumë më të madhe për Zotin. Sikur vetëm shkelësit të ishin dëshmitarë të dënimit, ata do të kuptonin se e gjithë fuqia i takon Zotit dhe se dënimi i Zotit është i ashpër. 2:165
Ne lexojmë gjithashtu se asnjë lajmëtar i vërtetë nuk do t'i urdhërojë njerëzit e tij që ta bejne idhull ose ta duan atë siç duhet ta duan Zotin:
Nuk i takon asnjë qenie njerëzore të cilit Zoti i dha Shkrimin, ligjin dhe profetësinë, që më pas t'u thotë njerëzve: "Bëhuni adhurues të mi në vend të Zotit", por përkundrazi, "Jini të përkushtuar ndaj Zotit në përputhje me Shkrimin te cilin ju e keni mësuar dhe në përputhje me atë që keni studiuar."
Ai as nuk do t'ju urdhërojë që t'i merrni engjëjt dhe profetët si zotër. A do t'ju urdhërojë që të mos besoni pasi jeni bere të nënshtruar? 3:79-80
Përkundër këtyre fjalëve të qarta në Kuran, fatkeqësisht zbulojmë se shejtani i ka joshur njerëzit që t'i bejne idhuj të dërguarit e tyre dhe t'i duan ata njelloj si dashurinë ndaj Zotit!
Për të arritur qëllimin e tij, Satani përdor marifetet e njohura, të cilat fatkeqësisht shumica e besimtarëve bien viktimë e tyre:
1- I pari nga truket e përdorura nga shejtani është të manipuloje fjalët e të dërguarit pas vdekjes së tij dhe të trillojë thënie nga i dërguari ku pretendohet se ai e ka urdhëruar popullin e tij që ta duan atë deri në masën e adhurimit. Shejtani e bëri këtë me Jezusin dhe të krishterët, si dhe me Muhamedin dhe muslimanët. Në lidhje me Jezusin, lexuesit i kërkohet të parashtrojë pyetjen:
Sa herë i dëgjoni fjalët "duaje Jezusin" dhe "lejoje Jezusin në jetën tënde" dhe "Jezusi vdiq për ty"? Në të kundërt, sa shpesh dëgjoni të njëjtët adhurues të Jezusit duke thënë: "Lëreni Perëndinë në jetën tuaj", "Adhuroni vetëm Perëndinë"?
Me muslimanët, shejtani përdori të njëjtat taktika. Ai trilloi thënie dhe ia atribuoi profetit Muhamed ku pretendohet se Muhamedi u kërkoi të gjithë muslimanëve ta donin atë më shumë se sa fëmijët e tyre, familjet e tyre, veten e tyre dhe më shumë se sa e duan gjithë botën! Hadithi i mëposhtëm nga koleksioni i Buhariut është një shembull:
"Transmetuar nga Enesi: Profeti tha: "Askush prej jush nuk do të ketë besim derisa të më dojë më shumë se babai i tij, fëmijët e tij dhe gjithë njerëzimi." (Buhariu, Vëllimi 1, Libri 2, Numri 14).
Këtu duhet të bëjmë pyetjen e mëposhtme: A është e mundur që ne ta duam dikë më shumë se veten dhe më shumë se gjithë bota, nëse në fakt nuk e adhurojmë atë person?
Për më tepër, Perëndia na thotë në 3:79-80 se asnjë lajmëtar i vërtetë nuk do t'i kërkonte popullit të tij ta bente idhull atë përveç Zotit. Prandaj është një mister se si miliona muslimanë e pranojnë një hadith të tillë që është qartazi një gënjeshtër dhe fyerje për integritetin e profetit Muhamed, dhe duke e bërë këtë, ata tregojnë përbuzje totale për fjalët e Zotit në 3:79-80!
Të gjithë besimtarët që kanë një sasi minimale respekti për profetin Muhamed dhe përkushtimin e tij ndaj Zotit, nuk do të besonin kurrë për as edhe një minutë se ai i bëri thirrje popullit të tij që ta adhuronin ate ose ta donin atë në një mënyrë të tillë, por në vend të kësaj ai do t'i kishte ftuar ata ta përkushtonin veten me gjithë zemër per dashurinë ndaj Zotit..
2- Taktika e dytë e përdorur nga shejtani për t'i bërë njerëzit t'i adhurojnë të dërguarit e Zotit është të shpikë një gënjeshtër që thotë se nuk ka shpëtim përveçse nëpërmjet të dërguarit të Zotit. Si rezultat, njerëzit i bejne idhuj këta lajmëtarë me besimin se shpëtimi mund të arrihet vetëm nëpërmjet tyre. Me të krishterët, shejtani shpiku konceptin e "Shpëtimit nëpërmjet Jezusit". Me muslimanët, shejtani shpiku konceptin e "ndërmjetësimit të Muhamedit". Edhe pse titujt e dy koncepteve janë të ndryshëm, mashtrimi në to është i njëjti. Të krishterët janë shtyrë të besojnë se ata nuk mund të arrijnë në Parajsë vetem nëpërmjet Jezusit. Po kështu, muslimanët që ranë pas kësaj gënjeshtre janë shtyrë të besojnë se ata kurrë nuk do të dalin nga Ferri dhe nuk do të hyjnë në Xhenet, përveçse me ndërmjetësimin e Muhamedit!
Eshtë e panevojshme të thuhet se koncepti i ndërmjetësimit është refuzuar totalisht në Kuran. Për detaje, ju lutemi shihni: Miti i Ndërmjetësimit
3- E treta nga taktikat e shejtanit është t'i mashtrojë njerëzit që të besojnë se i dërguari vuajti dhe vdiq për ta. Ky ishte mashtrimi i Satanait me të krishterët pasi ata u bënë të besonin se Jezusi vuajti vullnetarisht, duke zgjedhur të vdiste në kryq për shkak të dashurisë së tij ndaj njerëzve të tjerë dhe për hir të fshirjes së mëkateve të botës!
Njëlloj, me muslimanët, shejtani i ka shtyrë ata të besojnë se Muhamedi jetoi përmes torturave dhe dhimbjeve të mëdha, duke vuajtur për hir të tyre dhe sepse ai i donte shumë ata.
Si rezultat, këta njerëz e gjejnë veten pa zgjidhje tjetër përveçse t'i bejne idhuj dhe t'i duan këta lajmëtarë deri në masën e adhurimit, në mënyrë që të shpërblejnë dashurinë dhe vuajtjen e duruar nga këta të dërguar.
Në realitet, as Jezusi, as Muhamedi dhe as ndonjë i dërguar nuk kishin asnjë zgjedhje në mënyrën se si jetonin apo vdisnin. Ata u diktuan të gjithë nga Zoti dhe u bekuan të ishin përcjellës të mesazhit të Tij. Zoti zgjodhi personat e Jezusit, Muhamedit, Abrahamit dhe të tjerëve, por po të donte Zoti Ai do të kishte zgjedhur një grup krejtësisht të ndryshëm njerëzish. Të dërguarit e Zotit i zbatojnë urdhrat e Zotit për shkak të përkushtimit të tyre të plotë ndaj Zotit dhe jo sepse dëshirojnë të marrin mëkatet e popullit të tyre. Ata nuk kanë autoritet ta bëjnë këtë edhe nëse dëshirojnë.
Në thelb, i gjithë lavdërimi, mirënjohja dhe përkushtimi duhet t'i drejtohen vetëm Zotit dhe jo personit të të dërguarit.
Kurani përmban vargje të shumta që na urdhërojnë të lavdërojmë dhe madhërojmë Zotin ditë e natë, por në asnjë ajet të vetëm nuk jemi të ftuar të madhërojmë të dërguarin. Megjithatë, është një fakt i trishtuar që shumica e muslimanëve lavdërojnë dhe përkujtojnë emrin e Muhamedit ditë e natë kur emri i Zotit është më i denjë për lavdërim të vazhdueshëm.
Surja 33, ajetet 40 deri 43 :
Muhamedi nuk ishte babai i asnjërit prej njerëzve tuaj, por ai ishte i dërguari i Zotit dhe vula e profetëve. Zoti është i dijshëm për çdo gjë.
O ju që besuat, përmendeni shpesh Zotin
dhe madhëroni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje.
Është Ai që ju mbështet, si dhe engjëjt e Tij, për t'ju nxjerrë nga errësira në dritë. Ai është i Mëshirshëm ndaj besimtarëve.
Vargjet e mësipërme hedhin dritë të madhe mbi çështjen në fjalë:
1- Ekziston një thënie e famshme tek arabët; kur dikush vazhdimisht lavdëron një person tjetër, njerëzit i thoshin, "pse e lavdëron gjithmonë këtë person? A është ai babai yt apo diçka tjetër?"
Fjalët shumë domethenese "Muhamedi nuk ishte babai i asnjërit prej burrave tuaj" të ndjekur nga fjalët "Ai ishte i dërguari i Zotit dhe vula e profetëve" janë padyshim në të njëjtën linjë mendimi si thënia e mësipërme arabe.
2- Këto fjalë ndiqen menjëherë nga fjala: "Do ta përmendni shpesh Zotin" . Me fjalë të tjera, është Zoti (dhe jo Muhamedi apo ndonjë i dërguar) ai që meriton të gjithë përkujtimin dhe madhërimin tonë.
Dhe si konfirmim të mëtejshëm lexojmë fjalët që vijojnë: "lavdëroje Atë (Zotin) në mëngjes dhe në mbrëmje."
3- Konfirmimi i mëtejshëm i të njëjtit mesazh jepet me fjalët se është Zoti dhe engjëjt e Tij (dhe jo Muhamedi) i cili është Ai që "të nxjerr nga errësira dhe në dritë".
Marrë nga faqja origjinale: